Armët kimike nuk do të shkatërrohen në Shqipëri

Dhe pyetjes së shumë përfolur për ditë të tëra, “A do të pranojë Shqipëria kërkesën e Shteteve të Bashkuara për shkatërrimin e armëve kimike në territorin shqiptar?” i erdhi përgjigjja mbrëmjen e 15 nëntorit. Kështu nga një ditë e zakonshme e premte, ajo ditë u shndërrua në një ditë të jashtëzakonshme për atë që po ndodhte dhe për risinë në hapat e para të demokracisë së mirefilltë në vendin tonë. Ishte po ajo përgjigje që një pjesë e mirë e shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve, kërkonte me ngulm.  Ishte një JO! e madhe ashtu sic u prezantua nga prezenca e madhe e qytetarëve në rrugë duke ushtruar një nga të drejtat themeltare. 

Në fakt që në ditët e para që u botua lajmi nëpër mediat e huaja online, uroja dhe dëshiroja shumë, të paktën për një ngjarje të tillë që i prek të gjithë shqiptarët, pavarësisht ngjyrimeve politike, të ngrinin zërin e tyre, madje edhe të bertisnin fort në qoftë se do ishte e nevojshme. Gjithmonë duke parë në vende të tjera njerëz që ngrihen tu japin zë pakënaqësive të tyre, më bënin të ëndërroja sikur edhe Shqipëria tu ngjante pak apo të mësonte nga këto vende. Por ja që ëndërrat bëhen realitet thonë dhe ashtu ndodhi kur gëzoja duke parë grupe të rinjsh, familje, fëmijë, nëna shtatzëna apo me bebe nëpër karroca, gjyshe dhe gjyshër të mbledhur për të siguruar të ardhmen e tyre nesër. Kjo nuk ishte e mundur më parë. 
 

Ishte kulmi i protestës kur të gjithë prisnin me ankth dhe shpresë vendimin që dëshironin nga fjalimi i kryeministrit në orën 17:00 (11am U.S. time). Megjithëse në punë në atë orë, arrita që edhe pse me ndërpreje ta dëgjoja direkt fjalimin e plotë të tij. Si gjithmonë i përgatitur dhe me shembuj të artikular me detaje për të shpjeguar me hollësi rrethanat në të cilat Shqipëria ndodhej në momentin që kërkesa e SH.B.A.-së erdhi. Duke e kuptuar pozicionin e vështirë të tij në të dy krahët, për të mirën e Shqipërisë dhe për të mbajtur qëndrimin e duhur ndaj aleatit, fjalimi i tij i shprehu të gjitha këto. Një fjalim prej kryeministri të denjë dhe në lartësinë e duhur për postin që mban.

 
Pra, pas JO!-së e pas festimeve, të shtunë Shqipëtarët anembanë botës u zgjuan më të vetëdijshëm për atë që mund të bënin kur bashkoheshin. Por në të njëjtën kohë, ata mund të bashkoheshin në bulevard përpara institucioneve sepse u lanë të lirë të ushtronin të drejtën e grumbullimit, protestimit. Askush nuk i provokoi me forcë armësh apo fjalësh aty ku në 2011 ranë deshmorë katër persona sepse ishin duke bërë të njëjtën gjë që mijëra vetë bënë në 15 nëntor, u bashkuan në bulevard përballë Kryeministrisë. Pra, thjesht dua të them që gjëra tepër elementare por shumë të rëndësishme kanë ndryshuar në mënyrën e të qeverisurit dhe të qënit qytetar me të drejta të plota. Në gjithë këtë, politikanëve (të ngjyrave të ndryshme) ju dëshmua me vepra se kush i zgjedh dhe se shqiptarët e mësuan mësimin pas 23 vjet tranzicion. 
 
Një frymë e re e të qeverisurit dhe e të qënit qytetar si kudo në demokracitë e sotme. Një hap i rëndësishem u kalua. Le të vazhdojmë me këto ritme në këtë rrugë të gjatë për ta bërë Shqipërinë ashtu sic e meriton dhe e meritojmë. Gëzuar!!
For the news in English related to this post you can read the NPR article, Washington Post, & The Independent.